FMN: Shqipëria ka hapësira të kufizuara fiskale për të përballuar shpenzimet në rritje
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Shqipëria po hyn në një periudhë ku presionet afatgjata mbi financat publike do të rriten ndjeshëm, ndërsa hapësira fiskale për shpenzime të reja mbetet e kufizuar.
Presionet e reja mbi buxhetin
Raporti “Long-Term Spending Pressures in Europe” i FMN-së thekson se edhe pse borxhi publik i Shqipërisë është më i ulët se në shumë vende të BE-së, vendi ka pak hapësirë manovrimi për të përballuar rritjen e shpenzimeve. Sipas FMN-së, suksesi do të varet nga krijimi i institucioneve fiskale afatgjata që garantojnë ardhura të qëndrueshme pa dëmtuar rritjen ekonomike.
Fondi paralajmëron se pa reforma të thella, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Juglindor rrezikojnë qëndrueshmërinë e borxhit dhe arritjen e standardeve europiane deri në mesin e shekullit.
Pensionet dhe shëndetësia, burimet kryesore të presionit
Sipas raportit, plakja e popullsisë dhe largimi i të rinjve nga tregu i punës do të rrisin presionin mbi skemat e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor. Me uljen e forcës aktive të punës, pritet të pakësohen edhe kontributet që financojnë këto sisteme.
FMN thekson se rritja e jetëgjatësisë do të kërkojë fonde shtesë për kujdesin shëndetësor dhe atë afatgjatë, ndërsa mungesa e reformave do të rëndojë barrën financiare mbi brezat e ardhshëm.
Mbrojtja dhe rreziqet gjeopolitike
Raporti vlerëson se vendet e Ballkanit Lindor, përfshirë Shqipërinë, do të përballen me nevoja më të larta për buxhetin e mbrojtjes për shkak të detyrimeve në NATO dhe rreziqeve gjeopolitike. Vlerësohet se shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë 2.5 deri në 3 për qind të PBB-së në afatmesëm.
Kostot e tranzicionit klimatik
FMN paralajmëron se tranzicioni klimatik do të sjellë kosto të menjëhershme për vendet jo-anëtare të BE-së. Nëse investimet në energjinë e gjelbër dhe përshtatjen ndaj klimës vonohen, kostoja e ardhshme do të jetë shumë më e lartë, duke rrezikuar edhe më shumë financat publike.
Kërkesa për rritje të të ardhurave buxhetore
FMN rekomandon rritjen e të ardhurave, pasi niveli aktual mbetet më i ulët se në BE. Fondi sugjeron zgjerimin e bazës tatimore dhe uljen e informalitetit për të krijuar hapësirat e nevojshme fiskale për investime sociale, klimatike dhe strukturore.